Kolegji Pan-Shqiptar i Kirurgëve (KPSHK) është një organizatë profesionale ombrellë, jofitimprurëse, që bashkon kirurgët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora anembanë botës. U themelua më 6 shkurt 2026 në Tiranë, Shqipëri, me pjesëmarrjen e kirurgëve dhe delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
Kolegji shërben si platformë bashkëpunimi, e përkushtuar ndaj avancimit të standardeve kirurgjikale, edukimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, përmes bashkëpunimit ndërkufitar dhe shkëmbimit të njohurive.

KPSHK mbështetet në modelet e suksesshme të organizatave kirurgjikale dhe synon të forcojë partneritetet institucionale, të mbështesë edukimin e vazhdueshëm mjekësor, të nxisë punën shkencore dhe të inkurajojë përfaqësimin e unifikuar profesional. Duke lidhur kirurgët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe komunitetet shqiptare anembanë botës, Kolegji nxit shkëmbimin e ekspertizës, nismat e përbashkëta dhe kontributet e koordinuara në praktikën moderne kirurgjikale dhe në kujdesin ndaj pacientëve.
Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Prof. Dr. Arben Beqirit, kryetar nikoqir i Këshillit Themelues, dhe me fjalën hyrëse të Prof. Dr. Rifat Latifit, kryetar i Këshillit Themelues.
Fjalë përshëndetëse si të ftuar të veçantë mbajtën Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dr. Bekim Sali; Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Arben Vitia; Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, z. Azir Aliu; si dhe rektorët Prof. Dr. Xheladin Draçini (Universiteti i Mjekësisë, Tiranë), Prof. Dr. Jusuf Zejneli (Universiteti i Tetovës) dhe Prof. Dr. Mentor Petrela.


Në emër të përfaqësuesve nga rajoni dhe diaspora, përshëndetën edhe anëtarët e Këshillit Themelues: Dr. Osman Zhuri (Kosova), Prof. Dr. Ilir Hasani (Maqedonia e Veriut), Prof. Dr. Lumnije Kqiku (Austria), Prof. Dr. Alban Neziri (Zvicra), Prof. Dr. Mentor Ahmeti (SHBA), Dr. Valon Baraliu (Gjermania), Prof. Dr. Albion Totsi (Greqia), Dr. Daut Gjoni (Mali i Zi) dhe Dr. Beqir Nuhiu (Presheva).
Anëtarë të tjerë të Këshillit Themelues ishin Prof. Dr. Arben Gjata, Prof. Dr. Fatos Olldashi, Dr. Edvin Selmani (Shqipëria), Prof. Asoc. Dr. Luan Jaha, Dr. Mentor Gorani (Kosova), Dr. med. Kushtrim Shala (Gjermania), Prof. Dr. Rexhep Selmani (Maqedonia e Veriut) dhe Prof. Dr. Ilirijana Haxhibeqiri (Bosnja e Hercegovina).
Takimi u koordinua nga z. Kujtim Salihu, ndërsa znj. Fatjona Jahaj ishte koordinatore teknike/administrative.
Në përfundim të programit, Prof. Dr. Rifat Latifi lexoi Rezolutën Themeluese të KPSHK-së, e cila u miratua njëzëri nga të gjithë delegatët. Ndër të tjera, rezoluta thekson:
“Kolegji Pan-Shqiptar i Kirurgëve (KPSHK) do të jetë një entitet profesional i pavarur, me mision avancimin e praktikës dhe shkencës kirurgjikale, duke përcaktuar standardet e trajnimit në të gjitha disiplinat kirurgjikale, duke siguruar kujdes kirurgjikal të sigurt, modern dhe të bazuar në dëshmi, si dhe duke promovuar mësimin gjatë gjithë jetës, praktikën etike dhe llogaridhënien profesionale.”
Strukturat e përkohshme të KPSHK-së do të përgatitin statutin dhe dokumentacionin themelues. Pas miratimit të statutit nga Kuvendi i Delegatëve, do të zgjidhen organet drejtuese me përgjegjësi dhe mandat të plotë.
Kontakt: info@pacsurgeons.org